Rama denoncon fushatën e orkestruar: Linçimi nuk mund të jetë instrument politik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj një fushate diskreditimi ndaj tij dhe familjes, duke theksuar se gjuha e urrejtjes nuk përbën debat demokratik.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se është vënë në shënjestër të një fushate të organizuar politike që synon intimidimin dhe diskreditimin e tij, duke përfshirë së fundmi edhe bashkëpunëtorët e bashkëshorten e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se kalimi i betejave politike në fyerje dhe sulme ndaj familjarëve përbën shmangie nga debati demokratik dhe llogaridhënia, duke shtuar se pretendimet për interes publik nuk duhet të shërbejnë si mbulesë për gjuhën e urrejtjes.
Reagimi vjen pas veprimeve të ndërmarra javën e kaluar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila dorëzoi kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të kryeqytetit, bazuar në një sinjalizim lidhur me legalizime të kundërligjshme ndërtimesh, ku përfshiheshin zyrtarë komunalë dhe kompani ndërtimi. Komuna konfirmoi të premten se bëhet fjalë për shefin e kabinetit, Florent Maliqi.
Duke e cilësuar përdorimin e kësaj përmbajtjeje në Asamblenë e Kryeqytetit si tregues të degradimit të debatit, Rama paralajmëroi se rasti do të ndiqet deri në instancat më të larta të drejtësisë për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin e personave të dëmtuar padrejtësisht. Ai theksoi se çdo pjesëmarrës në nxitjen apo përhapjen e kësaj fushatë do të mbahet përgjegjësi, duke nënvizuar se shteti ligjor nuk lejon shfrytëzimin e linçimit për qëllime politike.