Masat e reja në arsim: Ndalohet mësimdhënia nën ndikimin e alkoolit

Ministria e Arsimit po synon ndryshimin e udhëzimit administrativ për masat disiplinore, duke shtuar ndëshkime për shkelje të reja dhe rritur përgjegjësinë në shkolla.
Afati për konsultimet publike lidhur me Draft-Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore të personelit arsimor është drejt fundit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës synon të zëvendësojë aktin e mëparshëm me një rregullorë të re që përfshin masa shtesë për disa sjellje që deri më tani nuk kanë qenë të dënueshme.
Projekt-dokumenti i ri parasheh ndëshkime për mospraportimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve, shpërndarjen e përmbajtjeve që cenojnë privatësinë e nxënësve, shmangien nga trajnimet profesionale, pengimin e inspektimeve, shfaqjen në vendin e punës nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike, si dhe shkeljen e rregullave të sigurisë.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka shprehur mbështetjen për këtë nismë. Përfaqësuesi ligjor i saj, Blendor Shatri, u shpreh se dokumenti kërkon përgjegjësi më të madhe nga të punësuarit, duke shtuar se organizata nuk e mbron mospunën dhe se drafti është shpërndarë te shoqatat sindikale pa marrë ende komente.
Nga ana tjetër, eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci vlerëson se ky draft nuk përmban risi thelbësore, pasi detyrimet ishin të parashikuara edhe më parë në ligj, ndërsa udhëzimi vetëm qartëson procedurat dhe ndarjen e kompetencave mes Inspektoratit dhe punëdhënësit. Sipas tij, mungon një mekanizëm mbikëqyrës se si vepron punëdhënësi pas rekomandimeve të inspektorëve.
Procesi i konsultimit publik ka nisur më 15 korrik dhe mbyllet më 4 gusht, ndërsa institucioni përgjegjësisht nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjeve të dërguara lidhur me këtë çështje.