Zveçan: I vihet zjarri shtëpisë së familjes Berisha pak javë pas rikthimit në pronë

Shpërndaj

Një muaj pasi u kthye në pronën e saj në Zveçan pas gati tri dekadash, shtëpisë së familjes Berisha i është vënë zjarri. Policia ka nisur hetimet, ndërsa familja deklaron se nuk do tërhiqet.

Vetëm pak javë pasi kishte shprehur gëzimin për ribashkimin me pronën e trashëguar nga gjyshi pas 27 vjetësh, familja Berisha është ballafaquar me një incident. Të dielën në mbrëmje, shtëpia e tyre në Zveçan është bërë cak i një sulmi zjarri që ka dëmtuar një pjesë të objektit.

Zana Berisha, bashkëpronare e shtëpisë, ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se ngjarja nuk do ta zmbrapsë familjen dhe se objekti do t'i nënshtrohet shpejt rinovimit. Ajo ka theksuar se akti i djegies vetëm sa e përforcon vendosmërinë e tyre, duke shtuar se gëzojnë mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe se do të kthehen edhe më të fortë.

Autoritetet policore kanë konfirmuar se kanë nisur hetimet për këtë rast. Sipas zyrtarëve rajonalë të policisë, njoftimi për zjarrin në shtëpinë e pabanuar është marrë pas mesnatës, rreth orës 00:10, nga një banor i lagjes. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendngjarje, duke arritur të lokalizojnë flakët.

Në bashkëpunim me prokurorin kujdestar, rasti është regjistruar zyrtarisht si "Zjarrvënie". Ndonëse aktualisht nuk ka persona të dyshuar, hetimet për zbardhjen e rrethanave janë në zhvillim e sipër.

Familja Berisha ishte detyruar të largohej nga kjo zonë e banuar kryesisht me serbë menjëherë pas luftës, sikurse edhe mijëra qytetarë të tjerë shqiptarë. Pas rikthimit të pronësisë, familja kishte nisur punimet për restaurimin e shtëpisë me qëllim që ta bënte sërish të banueshme.