LDK pranon ftesën e Kurtit për takim, PDK dhe Aleanca refuzojnë

Vetëvendosja ka dërguar ftesa për takim te partitë opozitare. LDK ka pranuar të takohet të martën, ndërsa PDK dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën.
Partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, Vetëvendosje, u ka dërguar ftesa për takim tri subjekteve opozitare shqiptare. Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë refuzuar ftesën.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në përgjigjen dërguar drejtuesit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka theksuar se në rrethanat aktuale subjekti i tij synon të mbetet në opozitë. Ai ka kërkuar që partia fituese, në bashkëpunim me partitë e tjera parlamentare, të gjejë rrugën për krijimin e institucioneve të reja.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se partia e tij nuk i sheh të arsyeshme takimet në këtë format dhe ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në Qeveri apo në takime, duke kërkuar përfshirjen e gjashtë kushteve strategjike në programin qeverisës.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar takimin mes Albin Kurit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili do të zhvillohet të martën në orën 18:00. Ky vendim pason kuvendin e kësaj partie, ku u rikonfirmua kryetari dhe u kërkua që deputetët të kontribuojnë në themelimin e institucioneve sipas vendimeve të strukturave.
Pavarësisht kundërshtimeve të hershme nga disa deputetë të zgjedhur të LDK-së ndaj bisedimeve me Kurtin, deputetët Janina Ymeri dhe Ermal Sadiku kanë theksuar se do të veprojnë në përputhje me qëndrimet e grupit parlamentar dhe organeve partiake. Ndërkohë, analisti politik Dritëro Arifi ka vlerësuar se ky detyrim i deputetëve ndaj strukturave bie ndesh me parimet e demokracisë.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, nisin afatet ligjore për krijimin e Qeverisë së re, si dhe periudha prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.