Rama: Fushata ndaj kabinetit dhe familjes sime ka kapërcyer çdo kufi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të fundit ndaj bashkëpunëtorëve të tij, duke i cilësuar si sulme çnjerëzore.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar publikisht ndaj zhvillimeve të fundit dhe pretendimeve që kanë shënjestruar shefin e kabinetit të tij, Florent Maliqi. Ai e ka cilësuar këtë situatë si një fushatë të organizuar denigrimi dhe presioni politik, e cila tashmë ka prekur edhe rrethin e tij familjar.
Në reagimin e tij, i pari i kryeqytetit ka theksuar se sulmet kanë kaluar kufijtë e normales dhe të debatit politik, duke u shndërruar në veprime çnjerëzore që përfshijnë bashkëshortjen e tij dhe bashkëpunëtorët që nuk janë pjesë e jetës politike. Sipas tij, shpifjet dhe fyerjet nuk përbëjnë llogaridhënie apo interes publik, por janë mjete të ulëta frikësimi.
Rama ka nënvizuar se çdo pretendim me interes publik duhet të adresohet vetëm përmes institucioneve të drejtësisë dhe jo përmes linçimeve publike. Ai ka shprehur shqetësimin e tij edhe për përdorimin e kësaj përmbajtjeje si instrument politik brenda Asamblesë së Kryeqytetit, duke e quajtur këtë si tregues të degradimit të standardeve publike.
Në fund, i pari i Prishtinës ka paralajmëruar se ky rast do të ndiqet deri në instancat më të larta të drejtësisë për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin e personave të dëmtuar padrejtësisht, duke shtuar se secili që ka nxitur apo përhapur këtë fushatë do të mbajë përgjegjësi ligjore.