Qytetarët në Kosovë mund të votojnë për dizajnin e ri të euros

Shpërndaj

Banka Qendrore Evropiane ka hapur konsultimin publik për pamjen e re të kartëmonedhave euro, proces në të cilin mund të marrin pjesë edhe qytetarët e Kosovës.

Edhe pse Kosova nuk bën pjesë në eurozonë, banorët e saj kanë mundësinë të shprehin mendimin e tyre rreth pamjes së ardhshme të kartëmonedhave euro, përmes një procesi të hapur nga Banka Qendrore Evropiane.

Procesi vjen pas përzgjedhjes së dhjetë propozimeve finale nga një total prej mbi 1.200 punimesh të dorëzuara, të ndara në temat “Kultura Evropiane” dhe “Lumenjtë dhe shpendët”. Sondazhi online është i hapur jo vetëm për vendet e eurozonës, por edhe për shtete të tjera evropiane, përfshirë Kosovën, Malin e Zi, Andorrën, Monakon, Vatikanin dhe San Marinon.

Banka Qendrore e Kosovës u ka bërë thirrje zyrtare qytetarëve që të përfshihen në këtë nismë, duke theksuar rëndësinë e saj pasi euro është valuta zyrtare e vendit. Guvernatori ka ftuar popullatën që të marrë pjesë në këtë fazë konsultimi, e cila shkon në linjë me reformat dhe aspiratat për integrim evropian dhe përafrim me standardet e pagesave në euro.

Megjithatë, votat e qytetarëve nuk do të jenë përcaktuese për vendimin final. Rezultatet e anketës publike do të kombinohen me një hulumtim paralel të përfaqësuesve të eurozonës dhe vlerësime teknike, për t'i dorëzuar Këshillit Drejtues të BQE-së, i cili do të vendosë përfundimisht rreth dizajnit.

Afati i fundit për të dhënë opinionin në këtë konsultim publik është data 21 shtator, ndërsa dizajni fitues pritet të zyrtarizohet nga institucioni evropian drejt fundit të këtij viti, para se kartëmonedhat e reja të hyjnë në qarkullim vite më vonë.