Ulen çmimet e derivateve: Nafta dhe benzina lirohen për nga 5 centë

Ministria e resortit ka njoftuar se çmimet e naftës dhe benzinës kanë shënuar ulje për 5 centë për litër, ndërsa çmimi i gazit mbetet i pandryshuar.
Konsumatorët në vend do të përballen me çmime më të ulëta të derivateve të naftës, pasi autoritetet përgjegjëse kanë caktuar tarifat e reja për tregun.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimi maksimal i naftës për ditën e enjte do të jetë 1.72 euro për litër, duke shënuar rënie nga 1.77 euro sa kushtonte një ditë më parë.
Edhe benzina ka pësuar ulje të ngjashme, ku çmimi i ri do të jetë 1.45 euro për litër, krahasuar me 1.50 euro që ishte më parë. Ndërkaq, çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar, duke u tregtuar sërish në vlerën 0.60 euro për litër.
Kujtojmë se rekordi i çmimit të naftës që prej fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme u regjistrua më 9 prill, kur një litër u shit për 1.91 euro.
Tregjet ndërkombëtare të naftës kishin shënuar ulje fillimisht pas arritjes së një armëpushimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Megjithatë, tendenca rënëse u përmbys pas rifillimit të sulmeve dhe bllokimit të sërishëm të Ngushticës së Hormuzit, e cila paraqet një prej artereve kryesore globale për transportin e arit të zi.