Humb jetën punëtori i KEK-ut pas lëndimeve të rënda në vendin e punës

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se 59-vjeçari Haxhi Gjinovci ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra gjatë orarit të punës.
Korporata Energjetike e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e punëtorit të saj, i cili ishte lënduar rëndë gjatë vikendit në vendin e punës.
Përmes një njoftimi zyrtar, është bërë e ditur se 59-vjeçari Haxhi Gjinovci nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të pësuara. Ai ushtronte detyrën e teknikut të xehtarisë në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.
Sipas njoftimit të korporatës, ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave dhe lëvizjes në zonën e ekskavatorit, duke rezultuar me fatalitet. I ndjeri ka qenë pjesë e ndërmarrjes që nga viti 1985, duke kontribuar për më shumë se katër dekada, ndërsa është vlerësuar lart për përkushtimin dhe korrektësinë në punë.