Juventusi zyrtarizon afrimin e mbrojtësit Jhon Lucumi

Klubi i Juventusit ka kompletuar transferimin e mbrojtësit kolumbian Jhon Lucumi nga radhët e Bolognas, duke firmosur një marrëveshje afatgjatë.
Klubi bardhezi ka njoftuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes për transferimin e mbrojtësit kolumbian Jhon Lucumi, i cili ka vënë firmën mbi një kontratë që e mban të lidhur me skuadrën nga Torino deri më 30 qershor 2030.
Futbollisti 28-vjeçar i ka nisur hapat e parë të karrierës te Deportivo Cali, ndërsa debutimin në futbollin profesionist e regjistroi kur ishte vetëm 17 vjeç. Gjatë vitit 2018, ai ndërmori një hap të ri duke u transferuar në Belgjikë te Genk, ku fitoi vendin e titullarit dhe u dallua si një nga mbrojtësit më cilësorë të elitës belge.
Më pas, në vitin 2022, qendërmbrojtësi u transferua te Bologna, ku gjatë katër sezoneve regjistroi 152 paraqitje në të gjitha turnetë zyrtare. Gjatë kësaj periudhe, ai pati rastin të aktivizohet edhe në Ligën e Kampionëve, ku realizoi një nga dy golat e tij me fanellën e klubit italian.
Me këtë lëvizje, Lucumi i bashkohet skuadrës torineze i pajisur me një përvojë të rëndësishme në Serie A, ndërsa pritet t'i sigurojë më shumë opsione dhe siguri prapavijës nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti. Kolumbiani përfaqëson një nga përforcimet e rëndësishme të afatit kalimtar për Juventusin, që synon të rikthehet fuqishëm në garën për trofe vendas dhe ndërkombëtarë.