Zgjerimi i ngrohjes në Prishtinë në rrezik, Sveçla fajëson Ramën

Projekti për zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë mbi 80 milionë euro rrezikohet për shkak të mosveprimeve të komunës, sipas VV-së.
Iniciativa për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në kryeqytet, e vlerësuar si një nga investimet më madhore energjetike me një kosto që kalon shifrën e 80 milionë eurove, po përballet me rrezik serioz për jetësimin e saj.
Kështu ka bërë të ditur drejtuesi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetet sociale. Sipas tij, ky projekt synonte shtimin e 50 megavatëve kapacitete të reja ngrohëse, përfshirjen e lagjeve Arbëri e Tophane, krijimin e mijëra kyçjeve të reja dhe uljen e ndotjes së ajrit.
Sveçla ka drejtuar akuza ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke pohuar se pushteti lokal nuk ka realizuar detyrimet kontraktuale ndaj Komunës së Obiliqit. Po ashtu, ai ka përmendur mangësi në administrimin e ndërmarrjes publike “Termokos”, duke shtuar se Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) i ka drejtuar një shkresë paralajmëruese të parit të kryeqytetit.
Në anën tjetër, nga ana e KfW-së është konfirmuar dërgimi i një letre drejtuar Bordit të Drejtorëve të “Termokosit”, duke e cilësuar atë si komunikim të brendshëm me agjencinë zbatuese të projektit, pa dhënë detaje publike për përmbajtjen e saj.