Haxhiu bën thirrje për diskutim rreth emrave për postin e presidentit

Ushtruesja e detyrës së presidentes ka kërkuar nga subjektet politike që të nisin bisedimet për kandidatë konkretë, duke shprehur keqardhje për bojkotin e opozitës.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga forcat politike që të kalojnë në diskutime me emra të përveçëm për postin e kreut të shtetit. Këtë deklaratë ajo e bëri pas përfundimit të takimit me krerët e partive që iu pëigjën ftesës, teksa shfaqi keqardhjen e saj për vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë.
Duke iu referuar qëndrimit të Lidhjes Demokratike për një figurë konsensuale, ajo vlerësoi se ka mbërritur momenti për të diskutuar për një kandidat jopartiak. Lidhur me kërkesën e opozitës që fillimisht të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe më pas të diskutohet për ekzekutivin dhe presidentin, Haxhiu theksoi se pas gjithë kësaj kohe nuk ka hapësirë për të hamendësuar mbi pasojat e dështimit të marrëveshjeve.
“E kemi parë disa herë. E dimë ku na çon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve. Kam dëgjuar qëndrime e partive të pranishme. Të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes së presidentit dhe patjetër të shmangen zgjedhjet e parakohshme. S’pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër”, u shpreh ajo gjatë konferencës për media.
Ajo shtoi se Lëvizja Vetëvendosje i siguron votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të kabinetit qeveritar, mirëpo sipas saj fokusi kryesor mbetet te çështja e presidentit për t'i ikur një procesi zgjedhor të parakohshëm.
“Prandaj çështja që duhet ta trajtojmë me seriozitet është ajo që e mban të bllokuar perspektivën institucionale të vendit – pra çështja e presidentit. Kurti e theksoi se i ka votat për kryeparlamentar dhe Qeveri. Dhe çështja është te marrëveshja për presidentin. Mund të jetë si çështje në rend të tretë – konstituimi, qeveria dhe presidenti - por është prioritare sepse mund t’i bëjmë të dyja dhe të mos kemi marrëveshje për presidentin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme e panevojshme”, tha ajo, duke shtuar se qytetarët presin dialog dhe jo refuzim të takimeve apo kushte që nuk përkojnë me peshën politike.