Në Prishtinë nis seanca për të dyshuarin e sulmeve ndaj KFOR-it në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbajtur seancën dëgjimore për Igor Markoviqin, i dyshuar për dhunën e majit 2023 në Zveçan.
Igor Markoviq ka dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, ngjarje këto të regjistruara në maj të vitit të kaluar.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu, i ka propozuar gjykatës caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin, ndërkohë që ka nisur shqyrtimi gjyqësor për masën e sigurisë.
Markoviqi akuzohet për disa vepra penale, përfshirë sulmin ndaj personit zyrtar, pjesëmarrjen në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm, bashkimin për veprimtari kundërkushtetuese, si dhe rrezikimin e personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Incidentet e dhunshme në Zveçan ndodhën gjatë protestave të banorëve lokalë serbë, të cilët kundërshtonin hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok. Si pasojë e përleshjeve mbetën të lënduar 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë, si dhe efektivë të Policisë së Kosovës dhe gazetarë që raportonin nga vendi i ngjarjes.