Çitaku: Takimi i Haxhiut dëshmon papërgjegjësinë e partisë në pushtet

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, duke e quajtur atë dëshmi të kapjes së institucioneve.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj takimeve të organizuara nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, lidhur me çështjen e kreut të shtetit.
Ftesa e Haxhiut drejtuar subjekteve politike u bojkotua nga tri partitë kryesore opozitare: PDK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Pas kësaj, Çitaku theksoi përmes një postimi në rrjetet sociale se takimet e deritanishme po zhvillohen vetëm me përfaqësues të forcës politike që drejton aktualisht institucionet.
Duke e cilësuar situatën si papërgjegjësi politike, ajo ngriti akuza se vendi po mbahet peng për interesa partiake që dëmtojnë qytetarët. Në mesazhin e saj, ajo u bëri thirrje aktorëve institucionalë që të kthehen në Kuvend për të jetësuar vullnetin e qytetarëve dhe për të përmbyllur procesin e konstituimit.