Rinia e PDK-së proteston para Qeverisë: Kërkohet zhbllokimi i Kuvendit

Përfaqësuesit e Rinisë së PDK-së zhvilluan një aksion para Qeverisë, duke i bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndalë bllokadën institucionale.
Përfaqësuesit e Rinisë së PDK-së kanë ndërmarrë një aksion protestues para objektit të ekzekutivit, duke kërkuar zgjidhjen e ngërçit politik. Resul Suma, në emër të kësaj strukture, u shpreh se gjenerata e re nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë bllokadës institucionale, e cila sipas tij po minon besimin dhe të ardhmen e tyre në vend.
Suma theksoi se mosfunksionimi i institucioneve dhe mbizotërimi i agjendave partiake mbi interesin shtetëror përcjell sinjale negative për sigurinë dhe stabilitetin, duke rritur rrezikun që të rinjtë të shohin emigrimin si zgjidhjen e vetme.
Gjatë fjalës së tij, ai i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të marrë pjesë në Kuvend dhe t'i japë fund krizës, duke theksuar se shteti nuk duhet të mbetet peng i kalkulimeve politike dhe se duhet rikthyer shpresa e të rinjve për të ndërtuar jetën në Kosovë.