Karim Benzema mund të kthehet në Spanjë, Real Betis monitoron situatën

Shpërndaj

Karim Benzema po lidhet me një kalim te Real Betis, ndërsa klubi i tij arab po shqyrton ndërprerjen e kontratës për të bërë vend për sulmues të tjerë.

Sulmuesi francez Karim Benzema është shndërruar në objektiv të Real Betisit, klub që synon të shtojë opsionet në sulm në ditët e fundit të merkatos. Gjithçka varet nga fakti nëse 38-vjeçari do të arrijë të prishë marrëveshjen aktuale me Al-Hilalin, skuadër me të cilën është i lidhur deri në verën e vitit 2027.

Kjo mundësi ka dalë në skenë për shkak të pozitës aktuale të lojtarit në futbollin arab. Drejtuesit e klubit nga Arabia Saudite po mendojnë mbylljen e bashkëpunimit vetëm gjysmë viti pas transferimit të tij nga Al-Ittihad. Në rast se kontrata shfuqizohet, sulmuesi do të ketë mundësi të bisedojë si agjent i lirë me çdo skuadër të interesuar.

Interesimi i Real Betisit ekziston vetëm me kusht që lojtari të dalë në treg pa dëmshpërblim. Megjithatë, sfida kryesore mbetet ana ekonomike. Për t'u bashkuar me klubin spanjoll, lojtari duhet të ulë ndjeshëm kërkesat e tij financiare, të cilat janë shumë të larta krahasuar me buxhetin e Betisit. Para çdo lëvizjeje, duhet të sqarohet pozita e tij kontraktuale, pasi lojtari kërkon përfitimet financiare para se të largohet, ndërkohë që klubi saudit kërkon të lirojë hapësirë në organikë.

Në planet e klubit arab për repartin e avancuar përfshitet edhe emri i sulmuesit të Aston Villas, Ollie Watkins. Pavarësisht pasigurisë rreth të ardhmes, forma e francezit mbetet e lartë. Ai ka regjistruar nëntë gola në 13 paraqitjet e para, duke shënuar edhe në ndeshjen e parë të sezonit të ri në fitoren ndaj Al-Faisalyt.