Albulena Haxhiu dhe ambasadori britanik flasin për bllokadën institucionale

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves, ku u diskutua mbi situatën aktuale politike dhe tejkalimin e ngërçit institucional.
Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim zyrtar me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në vend, Jonathan Hargreaves.
Në qendër të bisedës ishin zhvillimet e fundit politike dhe gjendja aktuale institucionale në vend. Sipas komunikatës nga Presidenca, palët trajtuan domosdoshmërinë e dialogut politik dhe angazhimet për gjetjen e një rrugëdaljeje nga bllokada institucionale.
Gjatë këtij takimi, Haxhiu vuri në pah peshën që ka konstituimi i shpejtë i institucioneve shtetërore, në përputhje të plotë me rendin kushtetues, me qëllim që vendi të ecë përpara.
Po ashtu, ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandërprerë që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës, duke e konsideruar një aleat kyç për shtetin.