Trump sulmon vendimin për çmimin Nobel: Njollë e pashlyeshme për Norvegjinë

Donald Trump ka kritikuar ashpër ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe për ish-gjyqtaren Navi Pillay, duke e quajtur vendimin të turpshëm dhe një njollë për Norvegjinë.
Kreu i shtetit amerikan, Donald Trump, ka shprehur sërish pakënaqësinë e tij pse nuk iu dha atij Çmimi Nobel për Paqe, duke e cilësuar zgjedhjen e sivjetme si të sikletshme dhe të papranueshme. Çmimi iu atribuua të premten Navi Pillay, ish-gjyqtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Në një tubim politik të mbajtur pak orë pas shpalljes së fitueses, Trump u shpreh se nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për këtë figurë. Ai e quajti vendimin një njollë të pashlyeshme për Norvegjinë dhe paralajmëroi se kjo nuk do të harrohet.
Kritika të ngjashme lideri amerikan kishte bërë edhe në vitin 2025, kur çmimi i qe dorëzuar opozitares venezueliane, María Corina Machado. Autoritetet norvegjeze më parë i kishin kujtuar atij se fituesi zgjidhet nga një komitet i pavarur dhe jo nga qeveria e vendit nordik.
Gjatë fjalimit në Syracuse të New York-ut, Trump përsëriti pretendimet e tij se ka ndalur tetë luftëra dhe se është pranë përfundimit të dy të tjerave, pa ofruar dëshmi për këto thënie. Sipas tij, Çmimi Nobel është diskredituar nga ideologë radikalë që janë kundër demokracisë.
Nga ana e tij, Komiteti Nobel bëri të ditur se Pillay u shpërblye për kontributin e saj në të drejtën ndërkombëtare dhe promovimin e paqes. Kryetari i komitetit, Jørgen Watne Frydnes, theksoi rëndësinë e punës së saj në ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe gjenocidit.
E pyetur për reagimin e Trumpit, 85-vjeçarja Pillay bëri një batutë duke thënë se mund ta ndante çmimin me të nëse duartrokitjet vazhdonin. Më herët, ajo kishte marrë edhe medaljen e vitit të kaluar nga Machado, veprim ky i cilësuar nga Trump si shenjë respekti, ndonëse Komiteti Nobel pati sqaruar se çmimet nuk mund të transferohen ose ndahen.