Prokuroria dhe AMA intensifikojnë bashkëpunimin kundër piraterisë dixhitale

Shpërndaj

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme dhe kryetarja e AMA-s firmosën një memorandum për krijimin e një task-force të përbashkët kundër piraterisë audiovizive.

Institucioni i akuzës dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) kanë bashkuar forcat për të intensifikuar koordinimin institucional në mbrojtje të pronësisë intelektuale dhe kundër shkeljeve në hapësirën dixhitale.

Gjatë një takimi zyrtar ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe drejtueses së AMA-s, Armela Krasniqi, u zyrtarizua marrëveshja përmes nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi. Ky dokument parashikon ngritjen e një task-force të posaçme dedikuar adresimit të fenomeneve të piraterisë dixhitale në fushën e audiovizualit.

Sipas marrëveshjes, AMA do të ketë detyrimin të referojë pranë organeve të prokurorisë çdo rast që përmban elemente të veprës penale, si dhe të ndajë me autoritetet njohuri mbi format dhe metodat bashkëkohore të përdorura në piraterinë dixhitale. Nga ana e tij, institucioni i prokurorisë do të shqyrtojë kallëzimet e dorëzuara, do të kërkojë informacione shtesë për hetime të thelluara dhe do të bashkëpunojë ngushtë për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të paligjshmërive në këtë sektor.